Kuleba: Dorëzimi i aeroplanëve luftarakë nuk do të ndodhë "së shpejti"
Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme Dmitro Kuleba deklaroi se nuk pret që Kievi të marrë aeroplanë luftarakë "së shpejti" për shkak të vështirësive logjistike dhe teknike, transmeton Anadolia.
"Nuk pres që dërgesa e aeroplanëve luftarakë të ndodhë së shpejti sepse është një detyrë shumë e vështirë, logjistike dhe teknike. Prandaj, këshillojmë që stërvitja e pilotëve ukrainas në aeroplanët perëndimor të fillojë menjëherë, në mënyrë që kur të merret vendimi për sigurimin e aeroplanëve, të mos humbasim kohë ose shumë muaj në stërvitje", deklaroi Kuleba në intervistë për gazetën gjermane "Bild".
Ai e përsëriti nevojën e Ukrainës për më shumë armë dhe municion, duke thënë se Gjermania mund të ndihmojë në kërkesat e Kievit, por që ka probleme lidhur me furnizimin e tyre në nivel qeveritar.
"Mendoj se Gjermania me të vërtetë mund të ndihmojë më shumë me municion. Me municion artilerik", tha Kuleba.
Pasi e siguroi dërgesën e tankeve luftarake në janar, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski kërkoi nga Perëndimi aeroplanë luftarak për mbrojtje nga sulmet ruse, që deri tani ishte hedhur poshtë zyrtarisht nga vendet si SHBA-ja dhe Gjermania.
Në pyetjen se çka mund të ndryshojë nëse Kievi tërhiqet nga qyteti Bahmut në rajonin lindor të Donjeckut të Ukrainës, Kuleba tha se Rusia do ta vazhdojë ofensivën në drejtim të Çasiv Jar, që mund të sjellë në "fat të ngjashëm" për vendbanimet pas Bahmutit.
"Kur dikush hyn në shtëpinë tuaj, nuk pyesni veten për sa kohë mund t'i rezistoni personazhit që hyri në shtëpinë tuaj dhe po përpiqet t'u vrasë ju dhe familjen tuaj dhe të grabisë gjithçka në shtëpi, apo jo? Ju mendoni se çfarë tjetër mund të bëni për ta nxjerrë nga shtëpia dhe për ta detyruar policinë ta arrestojë", tha Kuleba.
Bahmuti është qendra kryesore transportuese përmes së cilës ushtarët ukrainas në Donbas furnizohen me armë, pajisje ushtarake dhe municion.
Извор: 0
Објавена на 13.03.2023 09:37:26