Mariçiq: Së bashku të punojmë në projektin më të madh të Maqedonisë së Veriut - anëtarësimin e vendit në BE
Kuvendi duhet të jetë një forum për dialog politik konstruktiv, sidomos kur bëhet fjalë për agjendën e reformave të BE-së dhe së bashku me Qeverinë duhet të punojmë në planifikimin e agjendës legjislative me prioritet të reformave, por edhe ndryshimet kushtetuese që pasojnë, tha sot zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
"Ne do të pozicionohemi me përgjegjësi dhe do të veprojmë në të njëjtën mënyrë si për indikacionet e tjera", ka theksuar Mariçiq, para deputetëve gjatë debatit parlamentar për Raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit për vitin 2022.
Zëvendëskryeministri informoi se jemi në pritje që Komisioni Evropian të përgatisë raport të skriningut për Klasterin 1 - vlerat themelore, si dhe për Klasterin 2 - tregu i brendshëm.
Për Klasterin 1, që lidhet me Raportin, siç sqaroi Mariçiq, duhet të përgatisim tre dokumente kyçe reformuese, pra tre udhërrëfyes për sundimin e ligjit, për reformën në administratën publike dhe për funksionimin e institucioneve demokratike.
"Ne si Qeveri me mbështetjen e ekspertëve vendor por edhe ndërkombëtar, filluam me përgatitjen e qasjes metodologjike për këto udhërrëfyes dhe gjithsesi në afatin e mundshëm më të afërt do të përgatiten matricat, gjegjësisht korniza metodologjike për krijimin e këtij plani i cili do të na obligojë për 7-8 vitet e ardhshëm, gjegjësisht do të jetë plan reformues në këto tre fusha prej tani, deri në anëtarësimin tonë në BE. Në suaza të udhërrëfyesit për sundimin e ligjit duhet të përgatisim edhe plan aksionar për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve të pakicave dhe kjo është standarde për çdo shtet që negocion kohëve të fundit dhe sipas metodologjisë së re edhe në 10 vitet e fundit", tha zëvendëskryeministri.
Reformat dhe dinamika e tyre, siç theksoi ai, varet nga të gjithë ne. "Dhe nëse do t'i sjellim ligjet për tre muaj apo për një vit e tre muaj, kjo do të varet edhe nga ne. Nëse do t'i transpozojmë dhe zbatojmë ato në tre muaj apo një vit e tre muaj gjithashtu varet nga ne", tha Mariçiq.
Duke apeluar për mbështetje për të gjithë deputetët, tha se miratimi i obligimeve nga këto udhërrëfyes të cilat duhet t'i realizojmë dhe hartojmë është nga vlera e jashtëzakonshme për atë se si do të jetë imazhi i shtetit tonë Maqedonisë së Veriut, dhe në vend para qytetarëve tanë, por gjithashtu edhe jashtë shtetit para BE-së.
"Jam i sigurt se ka kushte që të gjithë deputetët të marrin pjesë në hartimin e këtij plani reformash. Mund të njoftoj se në javët e ardhshme do të formohen grupet e punës që do të punojnë në tre planet e veprimit dhe se do të merrni një ftesë për të dërguar ekspertët tuaj apo ekspertë që ju besoni për të marrë pjesë aktive në krijimin e atyre dokumenteve", tha Mariçiq.
Sipas tij, më mirë për shtetin dhe për qytetarët kur bëhet fjalë për agjendën evropiane dhe anëtarësimin në BE, është t'i lëmë partitë dhe interesat partiake dhe të mbizotërojë përgjegjësia ndaj qytetarëve dhe së bashku t'i përmbushim obligimet nga projekti më i madh i Maqedonisë së Veriut - sigurimi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Kuvendi, sipas tij, është vendi më adekuat ku tema Raporti i KE-së duhet të hapet dhe njëkohësisht duhet të jetë edhe vend kryesor ku vijnë porositë për hapat e ardhshëm në proces, kritikat, por edhe mbështetja për zbatimin e reformave.
Mariçiq theksoi se vendi është në gjysmë të procesit të skriningut. "Me vendime të guximshme, të mençura dhe shtetase Qeveria në momentin e vërtetë ka bërë një hap historik pas 17 vitesh pritje para dyerve të BE-së", tha Mariçiq.
Vitin e kaluar, siç tha ai, shteti mori një raport pozitiv nga KE-ja, i pari pas hapjes së negociatave me BE-në, me notë të përgjithshme "nivel të mirë" për gatishmërinë e përgjithshme të vendit për vitin 2022.
"Si të gjithë raportet e mëparshme, edhe ky raport i KE-së është një paraqitje objektive e situatës në vend dhe pa mëdyshje tregon se kemi reforma të qëndrueshme me progres dhe arritje të dukshme në to. Megjithatë, në të njëjtën kohë, në mënyrë specifike identifikohen fushat ku duhet të bëjmë ende shumë dhe të shtojmë përpjekjet për të dhënë më shumë rezultate", tha zëvendëskryeministri.
Vlerësimet e raportit, thotë ai, tregojnë se në disa fusha kemi bërë dhe kemi arritur shumë, madje edhe nga disa vende në rajon që negociojnë një dekadë të tërë.
"Ne qëndrojmë ende si shembull me notat më të mira në klasterin e Vlerave themelore, që është thelbësore për dinamikën e të gjithë procesit të negociatave. Ne kemi një vlerësim të ngjashëm gatishmërie në Klasterin e Burimeve, Bujqësisë dhe Kohezionit, në klasterin e Konkurencës dhe Rritjes Gjithëpërfshirëse dhe në klasterin e Agjendës së Gjelbër dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm. Maqedonia e Veriut është shumë afër rezultateve të Serbisë dhe Malit të Zi. Sa i përket klasterit të tregut të brendshëm dhe marrëdhënieve të jashtme, Maqedonia e Veriut është gjithashtu në të njëjtin nivel me këto dy vende", tha Mariçiq.
Vlerësimet tregojnë se është mbajtur tempoja e përparimit ose ka përmirësim në 23 nga gjithsej 43 fusha, ndërsa në 20 fushat e tjera ka përparim të kufizuar ose më të vogël. Nga aspekti i gatishmëri në rreth 90 për qind të fushave kemi gatishmëri të pjesshme ose të mirë.
"Shteti ka vazhdimësi stabile dhe fuqishëm mbahet në agjendën reformuese dhe shkon përpara", tha Mariçiq duke nxjerrë detaje nga Raporti.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare gjatë debatit theksuan se vlerësimi në këtë Raport për përparimin e shtetit është 1,61 ndërsa në vitin 2020 vlerësimi ishte 2,0 dhe se "koalicioni proevropian" dhe vendi po ngecin prapa.
Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE theksoi se Raporti ka 145 faqe, dhe se "po aq kritika për punën e Qeverisë" dhe "shuplaka verbale" për koalicionin qeveritar. Ai citoi një raport krahasues të përgatitur nga Instituti parlamentar, në të cilin, sipas tij, vlerësimet "në vitet kur VMRO-DPMNE ishte në pushtet, ishin më të larta nga vitet kur në pushtet është LSDM-ja".
Stojanovski e përsëriti kërkesën e partisë opozitare të organizohen zgjedhje të parakohshme, dhe pastaj të bisedohet për ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, shumicës qeveritare i mungon shifra prej dy të tretave e deputetëve për shumicë për ndryshimet kushtetuese, ndërsa jo aq sa konfirmoi.
Deputeti opozitar tha se LSDM-ja dhe BDI-ja nuk duan që vendi të inkuadrohet në BE, duke pyetur se si mund ne të kemi reforma kur në furnizimet publike vlerësimi është një.
Mariçiq i është përgjigjur Stojanovskit, duke thënë se përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së në ambasadat e huaja thonë se do të pranojnë ndryshime kushtetuese, vetëm nëse ka zgjedhje.
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski tha se nuk mund të diskutohet për përparim, por vetëm për Raportin.
"Ajo që përmban ky dokument është një realitet shkatërrues që Mariçiq dëshiron ta paraqesë si përparim", tha Micevski.
Mariçiq në replikat e deputetëve të VMRO-DPMNE-së lexoi pjesë nga Raporti i Progresit të vendit në vitin 2016.
Snezhana Kalevska Vançeva i bëri thirrje opozitës dhe Micevskit që të punojnë së bashku në rrugën drejt BE-së, duke treguar edhe gjetjet e Raportit që i referohen punës së Kuvendit.
Për Raportin për përparimin në vitin 2022 në KE duhet të flasin edhe njëzet nga tridhjetë deputetë. Seanca vazhdon në orën 15:15.
Извор: 0
Објавена на 09.03.2023 22:33:02