Zbulohet një korridor i fshehtë në Piramidën e Madhe në Giza
Kajro, 2 mars 2023 (МИА) - Autoritetet egjiptiane sot publikuan se arkeologët e kanë zbuluar një korridor të panjohur deri më tani, nëntë metra të gjatë, pas hyrjes kryesore në Piramidën e madhe në Giza. Vlerësimet thonë, se kjo mund të çojë në zbulime të mëtejme.
Zbulimi i ri është pjesë e një projekti që ka përdorur teknologji të re që nga viti 2015, duke përfshirë skanimin dhe një endoskop për të eksploruar brenda piramidave. Tuneli i papërfunduar ndoshta është ndërtuar për ta lehtësuar peshën e piramidës, hyrjes kryesore apo hapësirave të tjera të pazbuluara, shpjegoi shefi i Këshillit Suprem të Antikiteteve të Egjiptit, Mustafa Vasiri.
Piramida e Madhe u ndërtua si varr mbretëror rreth vitit 2560 para erës sonë, gjatë mbretërimit të faraonit Kufu (Greqishtja e lashtë: Keopsi).
Me lartësi prej 146.6 metra, Piramida e Madhe ishte struktura më e lartë e krijuar nga njeriu në botë për më shumë se 3.800 vjet - deri në ngritjen e Kullës Eifel dhe ndërtimet e tjera të ditëve të sotme. Me kalimin e kohës, vjetërsia e ka ulur lartësinë e piramidës në 138.5 metrat e saj aktuale. Sot, ndërtimi i lashtë shtrihet në hapësirë prej 230.3 metra katrorë dhe mbulon një total prej 2.6 milion metra kub.
Извор: 0
Објавена на 03.03.2023 04:37:10