Në Greqi prej sot pa masa restriktive për Kovid-19 – hiqet edhe maska e detyrueshme në ambiente të mbyllura
Athinë, 1 qershor 2022 (MIA) – Prej sot në Greqi hiqet maska e detyrueshme në hapësirat e mbyllura, që njëherësh ishte edhe masa e fundit dhe e vetme për Kovid-19 në vend, pasi në fillim të majit ishin hequr një numër i madh i restrikcioneve, me çka vera do të jetë plotësisht e lirë dhe pa kurrfarë kufizimesh, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Përjashtim ka vetëm për spitalet, shtëpitë për kujdes të të moshuarve dhe institucioneve të ngjashme, si dhe në transportin publik urban, gjegjësisht në autobusët, metrotë, tramvajet dhe trolejbusët, ku edhe më tutje do të jetë e detyrueshme mbajtja e maskës.
Gjatë kësaj jave do të merret vendim edhe për protokollet për anijet dhe trajektet.
Ministri i Shëndetësisë së Greqisë, Tanos Plevris para dy javëve, duke bërë të ditur se hiqet maska e detyrueshme për hapësirat e brendshme, tha se vendimi është i përkohshëm, gjegjësisht do të vlejë deri më 15 shtator të vitit 2022.
Për udhëtim në Greqi më nuk është e nevojshme asnjë certifikatë për vaksinim, as rezultat negativ nga testi i bërë, përderisa tashmë dy muaj e gjysmë është hequr edhe formulari PLF. E njëjta vlen edhe brenda vendit, gjegjësisht për hyrje në objektet e mbyllura nuk është i nevojshëm dokument për Kovid-19, siç ishte praktikë edhe më parë, ndërsa prej sot tashmë nuk është e nevojshme edhe mbajtja e maskës.
Megjithatë, heqja e masave në Greqi është e përkohshme, sepse në vjeshtë, nga shtatori, varësisht nga rrjedha e pandemisë, nuk përjashtohet mundësia që përsëri të vendosin disa nga restrikcionet paraprake.
Që nga fillimi i pandemisë, në Greqi ka 3.453.229 raste me Kovid-19 dhe 29.845 persona të vdekur.
Извор: 0
Објавена на 01.06.2022 08:13:07