Mickoski: Nëse tani ka zgjedhje të parakohshme parlamentare, VMRO-DPMNE dhe koalicioni do të fitojnë 61 deputetë



Shkup, 11 maj 2022 (MIA) – Nëse tani ka zgjedhje të parakohshme parlamentare, procedura duhet të fillojë sot, mbajeni fjalën time, ju garantoj se VMRO-DPMNE me koalicionin do t’i ketë saktësisht 61 deputetë, theksoi sonte lideri i opozitares VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski.

Mickoski duke iu referuar ndikimit të Bashkimit Demokratik për Integrim, lidhur me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ai tha se kjo nuk varet nga askush tjetër përveç marrëveshjes së tij me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

“Të ardhmen e Maqedonisë sonë do ta krijojmë në bazë të nevojave të qytetarëve. Prandaj kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse nuk do të lejojmë që në Reçicë të Vogël të krijohet e ardhmja. Jam i sigurt se në zgjedhje do t’i fitojmë 61 deputetë”, tha Mickoski në emisionin “Top Tema” në televizionin “Tellma”.

Mickoski theksoi se LSDM-ja po ikën nga zgjedhjet sepse, siç tha ai, persona të caktuar në parti janë të vetëdijshëm se kurrë më nuk do ta shijojnë luksin e paguar nga qytetarët, ndërsa BDI-ja sepse nuk do të jetë faktor më i madh se sot në Qeverinë e LSDM-së.

“Dhe kjo është arsyeja që as BDI e as LSDM nuk duan zgjedhje. E kuptoj LSDM-në, ka njerëz që nuk do t’i kenë më ato privilegje dhe tani po thonë kështu që nuk jam budalla që të shkoj në zgjedhje parlamentare kur do të mund ta shijoj përsëri këtë luks që më paguajnë qytetarët. Në anën tjetër, BDI-ja thotë me vete se ne kurrë nuk do të jemi faktor më i madh se sa jemi sot”, tha Mickoski.

Ai bëri thirrje që të votohet një zonë zgjedhore, duke theksuar se nëse kjo ndodh, brenda një dite, Ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançevski do të priste Grupet e Punës për Kodin Zgjedhor.

Ai paralajmëroi se do të ndërmarrin edhe hapa të tjerë përveç bllokadës aktive të Kuvendit që dje e filluan deputetët e VMRO-DPMNE-së.

“Do të ketë hapa të tjerë, nuk do të jenë vetëm bllokada, për ato hapa të tjera do të duhet të komentojnë organet e partisë”, tha Mickoski.

Ai theksoi se bllokada aktive do të thotë se VMRO-DPMNE nuk do të bllokojë ligjet që nënkuptojnë përmirësim të standardit jetësor të qytetarëve.

Ai shfaqi shpresë se në një nga seancat e ardhshme do të gjendet kredia nga Banka Botërore, në shumën prej 60 milionë euro, e cila do të përdoret për përmirësimin e infrastrukturës së vetëqeverisjeve lokale.

Mickoski vlerësoi se shteti nuk po shkon në drejtimin e duhur dhe se Qeveria e LSDM-së nuk ka kapacitet për t’i zgjidhur problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët, duke shtuar se për këtë është legjitime si opozitë të kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare. bs/

Извор:  0
Објавена на 12.05.2022 06:16:10