Buxheti evropian për ndihmë humanitare do të jetë 1,5 miliardë euro për vitin 2022

Bruksel 17 janar 2022 (MIA) – Komisioni Evropian e miratoi buxhetin vjetor për ndihmë humanitare, i cili është 1,5 miliardë euro, prej të cilave 152 milionë euro për Ballkanin, Ukrainën, Kaukazin dhe Turqinë, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Komisioni Evropian vlerëson se me 1,5 miliardë euro, të dedikuara për ndihmë humanitare, Evropa do të jetë fuqi udhëheqëse në këtë sferë në kohë kur krizat humanitare po shtohen, si për shkak të faktorëve natyrorë, ashtu edhe për shkak të atyre njerëzorë.

“Nevojat humanitare janë në nivelin më të lartë dhe do të vazhdojnë të rriten. Kjo para së gjithash ka të bëjë me konfliktet, por gjithnjë e më tepër edhe me sfidat globale, si ndryshimet klimatike dhe Kovid-19. Fondi i jonë humanitar do të mundësojë që BE-ja ta bëjë të veten dhe të vazhdojë të shpëtojë jetë dhe t’i mbulojë nevojat themelore të të prekurve”, deklaroi Janez Lenarçiq, eurokomisar për ndihmë humanitare.

Ai shtoi se me këtë buxhet, Komisioni Evropian do të jetë në mundësi t’u përgjigjet krizave akute, si dhe të atyre afatgjate të tipit të Sudanit Jugor, Kolumbisë dhe Rohingjët në Mianmar.

Buxheti për vitin 2022 është ndarë në më shumë sfera gjeografike. Ballkani së bashku me Kaukazin, Ukrainën dhe refugjatët në Turqi do të marrin 152 milionë euro për projekte të ndryshme.

Pjesa më e madhe nga buxheti dedikohet për Afrikën subsahariane me 469 milionë euro dhe 352 milionë euro për Lindjen e Afërt dhe Afrikën Veriore. Azia dhe Amerika Jugore do të marrin rreth 188 milionë euro, dhe më në fund Komisioni Evropian mban 370 milionë euro për kriza dhe katastrofa të paparashikueshme. bsh/

Извор:  0
Објавена на 17.01.2022 15:57:25