Erdogan: BE-ja mbetet prioritet strategjik i Turqisë

Ankara, 14 janar 2022 (MIA) – Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan mbrëmë në Ankara deklaroi se përkundër faktit se vendi i tij është i ekspozuar ndaj padrejtësive, Bashkimi Evropian mbetet prioritet strategjik për Turqinë, transmeton Anadollu.

Erdogan në pallatin Çankaja, iu drejtua ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Turqi, ku foli për marrëdhëniet mes vendit të tij dhe BE-së.

Ai tha se të gjithë duhet ta kenë të qartë se Turqia ka bërë përpjekje të mëdha në kuadrin e luftës kundër migracionit të paligjshëm dhe terrorizmit.

“Nëse nuk do të ishin përpjekjet tona, kriza e emigrantëve do të ishte thelluar edhe më shumë, numri i viktimave do të ishte më i lartë, terrorizmi do të ishte bërë edhe më i egër, paqëndrueshmëria do të ishte përhapur në një zonë shumë më të gjerë”, tha Erdogan.

Ai tha se BE duhet të parandalojë sabotimin e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Evropës, duke u fshehur pas justifikimeve për solidaritet në Union.

“Ai kritikoi gjithashtu BE-në në kontekstin e çështjes së Qipros, duke thënë: Për fat të keq, BE, duke vepruar verbërisht si një zëdhënës i palës greke, injoroi të drejtat dhe ligjet e turqve qipriotë, të cilët janë pjesë integrale e zonës”.

Ai tha se secili që mund të shohë objektivisht, qartë sheh dhe pranon se “Turqia është një vend kyç në tejkalimin e kërcënimeve me të cilat përballet Bashkimi Evropian”.

“Edhe krahas të gjitha padrejtësive ndaj të cilave jemi ekspozuar, Bashkimi Evropian mbetet prioriteti ynë strategjik, ne vazhdojmë të përpiqemi në atë drejtim”, konkludoi Erdogan. fb/

Извор:  0
Објавена на 14.01.2022 09:48:40