U zbulua programi për kremtimin e 70-vjetorit të mbretërimit të mbretëreshës britanike Elizabeth II



Londër, 10 janar 2022 (MIA) - Buckingham Palace ka shpallur programin e plotë të ngjarjeve të planifikuara për të festuar jubileun platinor të mbretëreshës britanike Elizabeth II - 70 vjet në fronin britanik.

Festimet do të përfshijnë hapjen për publikun e pronës private të mbretëreshës 95-vjeçare dhe disa nga yjet më të mëdhenj të botës do të performojnë para Pallatit Buckingham në Londër. Shumica e detyrave jubilare besohet se i janë caktuar pjesës tjetër të familjes mbretërore, duke përfshirë Princin William dhe gruan e tij Kate, Dukeshën e Cornwall.

Mbretëresha zakonisht feston përvjetorin e kurorëzimit të saj privatisht në Sandringham.

Festimet zyrtare të jubileut do të fillojnë të hënën, me një garë pudingu për nder të mbretëreshës. Më pas, me nismën e Mbretëreshës “Green Canopy”, do të mbillen pemë të reja. Shumica e festimeve do të zhvillohen më vonë gjatë vitit.

Shfaqjet e më shumë se 500 kuajve me 1000 interpretues në Kështjellën Windsor priten nga 12 deri më 15 maj, duke i kujtuar audiencës historinë që nga koha e Elizabeth I deri në ditët e sotme. Më 2 qershor, ditën e parë të festës kombëtare katërditore, do të zhvillohet procesioni i ditëlindjes së Mbretëreshës, i njohur si “Trooping the Color”. Në të njëjtën ditë, Britania, Ishujt Channel, Ishulli Man dhe territoret britanike jashtë shtetit do të bashkohen në ndriçimin e njëkohshëm të një fari të Pallatit Buckingham.

Njerëzit në të gjithë vendin do të ulen së bashku për një drekë të madhe jubilare të dielën, 5 qershor - dita e fundit e fundjavës së zgjatur të pushimeve. Sandringham dhe Balmoral do të jenë gjithashtu të hapura për qytetarët dhe vizitorët britanikë gjatë fundjavës së gjatë.

Studentët anembanë vendit janë të ftuar të bëjnë një kolazh të dëshirave të tyre për planetin gjatë 70 viteve të ardhshme dhe disa nga ilustrimet e tyre do të shfaqen në një festë të veçantë. Nga korriku, tre ekspozita do të vendosen në rezidencat zyrtare mbretërore për të shënuar ngjitjen e Mbretëreshës në Fron, kurorëzimin dhe përvjetorin.

Извор:  0
Објавена на 10.01.2022 16:33:59