Qeveria sllovake u ka kërkuar falje grave rome për sterilizimin e detyruar prej dekadash
Bratisllavë, 25 nëntor 2021 (MIA) – Qeveria sllovake ka kërkuar zyrtarisht falje për sterilizimin e detyruar të grave rome që ka ndodhur në këtë vend me dekada.
Koalicioni qeverisës i Sllovakisë ka lëshuar një deklaratë në të cilën i dënon shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur gjatë viteve dhe u kërkoi falje të gjitha të palëve të prekura, njoftoi agjencia e lajmeve TASR.
Numri i sterilizimeve mundet vetëm të llogaritet, por të paktën disa mijëra gra i janë nënshtruar procedurës, publikoi në ueb faqen e saj përfaqësuesja rome në Qeverinë sllovake.
Sipas qeverisë, sterilizimet e detyruara u bënë midis viteve 1966 dhe 1989 për të kufizuar numrin e fëmijëve të lindur nga minoriteti rom.
Por sipas qeverisë, edhe pas rënies së komunizmit midis viteve 1990 dhe 2004, gratë rome u detyruan ilegalisht në klinika të pranojnë sterilizimin pas lindjes së fëmijëve.
Për vite me radhë, organizatat e të drejtave të njeriut dhe Këshilli i Evropës i kanë kërkuar Sllovakisë të njohë shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut kundër romëve dhe të kompensojë viktimat.
Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, në llogarinë e saj në Tuiter përshëndeti faljen e autoriteteve sllovake si hapin e parë të rëndësishëm, por shtoi se duhet të krijohet një mekanizëm sa më shpejt që të jetë e mundur për kompensimin e viktimave të këtyre të sterilizimeve të detyruara. ls/
Извор: 0
Објавена на 25.11.2021 09:59:48