Norvegjia do të sigurojë vaksinim falas kundër Kovid-19

Oslo, 14 tetor 2020 (MIA) – Norvegjia do të sigurojë vaksinë falas kundër Kovid-19 për qytetarët e saj kur të bëhet e disponueshme, kumtoi qeveria norvegjeze, duke shtuar se ajo do të jetë pjesë e programit kombëtar të vaksinimit.

Norvegjia, e cila është pjesë e tregut të vetëm të Evropës, por nuk është anëtare e BE-së, në gusht publikoi se do të merrte vaksina të siguruara nga BE falë marrëveshjeve me kompanitë farmaceutike.

“Ne duam që sa më shumë njerëz të marrin vaksinë të sigurt dhe efektive. Kjo është arsyeja pse vaksinimi do të jetë falas”, deklaroi Kryeministrja, Erna Solberg.

Suedia, anëtare e BE-së, do të blejë më shumë vaksina sesa i duhen dhe do t’ia shesë tepricën Norvegjisë. BE deri më tani ka nënshkruar marrëveshje me tre prodhues të vaksinave dhe po negocion me disa të tjerë. Norvegjia është e mbuluar me ato marrëveshje përmes një marrëveshje rishitjeje me Suedinë, publikoi qeveria.

Norvegjia është gjithashtu pjesë e iniciativës globale të shpërndarjes së vaksinave COVAX, e mbështetur nga OBSH, së cilës i janë bashkuar 171 vende, përfshirë Kinën, ndërsa SHBA-ja dhe Rusia nuk janë pjesë e këtij grupi. ls/shk/

Извор:  0
Објавена на 14.10.2020 08:45:17