Drejtori i FBI-së e potencoi Kinën si kundërshtarin numër një të SHBA-së

Uashington, 8 korrik 2020 (MIA) – Kërcënimi më i madh afatgjatë për të ardhmen e SHBA-së janë aktet e spiunazhit dhe vjedhjes nga qeveria kineze. Këtë e theksoi drejtori i FBI-së në një fjalim para Institutit Hadson në Uashington.

Kristofer Rej tha se “Kina po punon për t’u bërë superfuqia e vetme në botë me të gjitha fondet e nevojshme”.

Në fjalimin gati një orë të gjatë, drejtori i FBI-së dha një panoramë të madhe për ndërhyrjen kineze, duke e përfshirë spiunazhin ekonomik, vjedhjen e të dhënave dhe parave dhe aktivitetin e paligjshëm politik, duke përdorur ryshfet dhe zhvatje për të ndikuar në politikën e SHBA-së.

“Tani kemi arritur në pikën kur FBI po hap një rast të ri të kundërzbulimit, lidhur me Kinën në çdo 10 orë. “Nga rreth 5.000 raste aktive të kundërzbulimit në të gjithë vendin, gati gjysma janë të lidhura me Kinën”, theksoi Rej.

Drejtori i FBI-së deklaroi se presidenti kinez, Si Xhinping po udhëheqë një program të quajtur “Gjuetia e dhelprave” që synon qytetarët kinezë që jetojnë jashtë vendit, të cilët konsiderohen kërcënim për qeverinë kineze.

“Ne po flasim për rivalët politikë, disidentët dhe kritikët që janë duke u përpjekur t’i ekspozojnë shkeljet masive të të drejtave të njeriut në Kinë”, tha ai.

“Qeveria kineze dëshiron t’i detyrojë ata të kthehen në Kinë, ndërsa taktikat e Kinës për ta bërë këtë janë tronditëse”, tha Rej. ls/shk/

Извор:  0
Објавена на 08.07.2020 10:37:40